Avancimi i Institucioneve të Kosovës, Demokratizimi dhe Bashkëpunimi Rajonal

Instituti për Analiza të Politikave (I4PA), në bashkëpunim me Grupin për Ballkanin, lansuam dje një projekt ambicioz dyvjeçar, “Avancimi i Institucioneve të Kosovës, Demokratizimi dhe Bashkëpunimi Rajonal”, i përkrahur dhe financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Norvegjisë. Projekti do të angazhoi dhe/ose do të këtë për objektiv qeveritë e vendeve rajonale dhe partitë politike, por edhe shoqërinë civile, mediat dhe qytetarët në përgjithësi.

Në harmoni me vizionin dhe objektivat tanimë të deklaruara të I4PA, projekti synon të përgatis dhe t’u ndihmojë vendeve të rajonit, në veçanti Republikës se Kosovës, të ndërtojnë një rrugë të shëndoshë e të sigurt drejt integrimeve Evropiane, demokratizimit të secilit vend veç e veç, por edhe bashkëpunimit rajonal, si parakusht i një rrugëtime të përbashkët e të koordinuar të strukturave politike e shoqërorë të vendeve rajonale.  

Duke falënderuar të pranishmit dhe organizatorët, Ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë për Kosovë dhe Shqipëri,  Ekselenca e Tij, Per Strand Sjaastand, në mes tjerash theksoi se, derisa “ishte e rëndësishme të pranohet progresi i arritur” në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë, “megjithatë, përmirësime të mëtejshme ishin të mirëpritura dhe të nevojshme”, në mënyrë që vendi të ecte i sigurt drejt integrimeve evropiane.

Të pranishmit i përshëndeti edhe Kryeministri Haradinaj, i cili falënderoi Mbretërinë e Norvegjisë dhe Ambasadorin Sjaastad, duke theksuar se “Norvegjia, si dhe vendet tjera, jo vetëm që kanë përkrahur programet e reja, siç po niset ky sot, por kanë përkrahur edhe një tavolinë, duke mbështetur Grupin e Ballkanit, ku na kanë bashkuar akterë të ndryshëm politikë dhe krerë të partive politike për dialog to brendshëm politik për jetën tonë.”

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, duke nënvizuar rëndësinë e projekteve të tilla dhe duke lartësuar kontributin dhe ndihmën shumëvjeçare të Mbretërisë Norvegjeze për Kosovën dhe rajonin,  në mes tjerash u tha të pranishmëve se “tash, edhe në fazën e këtij procesi, Norvegjia prapë po luan rol të rëndësishëm, sepse ka lënë gjurmë në zgjidhjen e problemeve në regjionin tonë.”

Ky projekt është i dizajnuar që të promovoi gjithëpërfshirjen në strukturat politike dhe sektorin shoqëror të shteteve rajonale, duke inkurajuar pjesëmarrjen e gjithë spektrit politik, por edhe të komponentëve etnike, gjinore, e në veçanti të rinisë së këtyre vendeve.  Strukturimi i projektit është i tillë që mundëson avancimin e politikave dhe standardeve më të mira evropiane, duke u fokusuar në veçanti në tri komponentë kryesore: mbështetja e dialogut politik; bashkëpunimi rajonal; dhe avancimi në ndarjen e pushteteve, si dhe kontrolli e balancimi në mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *